Pronarët e Liverpoolit po synojnë të blejnë aksionet e klubit të njohur nga La Liga

Pronarët e Liverpoolit, Fenway Sports Group, janë të interesuar për të blerë aksionet e klubit spanjoll Getafe. FSG janë të interesuar që të krijojnë një model ku kanë në pronësi disa klube të futbollit, njësoj si pronarët e Manchester Cityt. Si një klub me traditë në elitën e futbollit spanjoll dhe me kapacitet për të zhvilluar lojtarë të rinj, FSG e sheh Getafen si një investim të arsyeshëm. Drejtori sportiv i Liverpoolit, Michael Edwards kishte folur më parë për këto ambicie që kanë ata. “Ne jemi të përkushtuar për të blerë dhe menaxhuar një klub tjetër, duke e zhvilluar më tej këtë pjesë të organizatës. Të qëndrosh konkurrues kërkon investime dhe zgjerim të portofolit tonë aktual në futboll”, ka thënë ai.

Një pengesë për këtë ambicie mund të jetë vullneti i presidentit të Getafes, i cili ka shprehur dëshirën të qëndrojë në krye të klubit edhe për dy vite të tjera përpara se ta shesë atë. Getafe ka nisur ndërtimin e një stadiumi të ri, ndërsa projekti pritet të përfundojë rreth dhjetorit të vitit 2027. Klubi konsiderohet tërheqës për investitorët e mundshëm për shkak të statusit të tij socio-ekonomik dhe stabilitetit që ka në La Liga. Pas përpjekjes së dështuar për të blerë Malagan, FSG shpreson që të mos hasë në pengesa gjatë përpjekjes për të marrë në kontroll Getafen.

sfidanti.al