Mbi trajnerin e Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo, po ushtrohet një presion i madh, por, mëgjithatë, vetë ai nuk ka ndërmend që të ikë, madje edhe sikur të humbasë nga Valensia në Ligën e Kampioneve. Nuk është aspak e lehtë që të heqësh dorë nga një pagë prej 15 milionë eurosh në vit, ndërkohë që as Junajtidi nuk do të ketë të lehtë që ta zhdëmtojë financiarisht atë me siguri me një shumë mjaft të madhe, nëse e prish kontratën para kohe.
Por, që atij po i përgatisin shkarkimin, kjo gjë po bëhet gjithnjë e më e qartë. Media angleze bën të ditur se Zidane e ka marrë në telefon Murinjon dhe i ka thënë atij se përfaqësues të Junajtidit tanimë kanë kontaktuar menaxherët e tij dhe kanë pyetur, nëse ai (Zidane) është gati që ta marrë përsipër detyrën e trajnerit të “djajve të kuq”. Zidane, sipas medias, nuk donte të fshihte asgjë nga Murinjo, me qëllim që askusht të mos thotë se ai ka vepruar mbas shpinës, për më tëpër që ata të dy (Zinedini dhe Zhoze) janë miq shumë të mirë. Dihet se Zidane e ka nisur karrierën si ndihmës i Murinjos, kur ky i fundit drejtonte Realin e Madridit.
Sipas medias, Zidane e njoftoi Murinjon se çfarë po i përgatisin atij te Junajtidi dhe se kryesia e këtij të fundit është gati ta shkarkojë atë, nëse ai (Zidane) pranon ta marrë përsipër ekipin e “Old Traffordit”.
Sidoqoftë, sikurse thuhet, edhe vetë Zidane ka dyshime, sepse nuk është e lehtë të marrësh përsipër një ekip midis sezonit, kurse, sa i përket Murinjos, klubi ka marrë anën e tij në konfrontimin me Pogban, por kundër tij janë Marsiali, Rashfordi dhe Sançezi.
Sfidanti.al