Gazeta “Dejli Meil” doli e para me lajmin ekskluziv se ser Aleks Fergusoni doli nga koma dhe se ka nisur të komunikoi me të afërmit e tij. Ky lajm e gëzoi pa masë të gjithë opinionin publik anglez, pasi, gjatë ditëve të fundit, që nga e shuna e kaluar, të gjithë dashamirësit e sportit në Angli janë lutur për jetën dhe shëndetin e trajnerit legjendar të papërsëritshëm të Mançester Junajtidit.
“Dejli Meil” shkruan se gjëja e parë që kërkoi Fergi (Fergusoni), sapo doli nga koma, ishin rezultatet e gjendjes së tij shëndetësore, kurse gazeta “San” vë në dukje se pyetja e parë që ai bëri, kishte lidhje me futbollin. Sipas saj, Fergi pyeti për rezultatin që kishte arritur ekipi Donkaster, të cilin e drejton si trajner i biri i tij, Daren!
Sidoqoftë, gazeta e mësipërme shkruan se gjendja shpirtërore e trajnerit të famshëm skocez është e mirë, se ai bën humor me njerëzit e tij dhe se ai do që ta shohë “live” ndeshjen finale të Champions-it në Kiev, më 26 maj, mes Realit të Madridit dhe Liverpulit.
Sfidanti.al