Do të mbahet mend si një kapiten i madh, si frymëzuesi i vërtetë i një Liverpuli që deshi të kthehej si në kohën e Bill Shenklit, Kevin Kiganit apo Keni Dalglishit. Stiven Xherrard si futbollist do të mbetet në kujtesë, pasi legjenda e kuqe i dha fund karrierës së luajtur. Me varjen e këpucëve në gozhdë, u bë përfundimtare historia e njërit prej lojtarëve më të mëdhenj dhe më fatkeqë të të gjitha kohëve.
Xherrard nuk mundi të fitonte qoftë edhe një titull të vetëm kampion me Liverpulin, diçka që do t’i mbetet peng, edhe pse ndërgjegjen e ka krejtësisht të pastër. Ishte koha e tillë që rekordmeni i titujve në Angli (derisa ia theu rekordin Sër Aleks Fergusoni) nuk ia doli të triumfonte një herë të vetme në Premier Ligë gjatë gjithë karrierës së Xherradit në “Anfild”.
“Xherro” veshi fanelën e zemrës nga 1998-ta deri në 2015, kuke luajtur mbi 700 ndeshje e duke shënuar gati 200 gola, jo pak për një mesfushor. Ai fitoi Ligën e Kampionëve në 2005 në finalen e paharruar ndaj Milanit në Stamboll, kur nga humbja 0-3 u arrit në 3-3 dhe në suksesin me 11-metërsha.