Padyshim që sulmuesin e Lajpcigut e deshi, të paktën kështu mund të besohet. Një lojtar si Timo Verneri mund t’i përshtatej skemave të trajnerit të Liverpulit, Jurgen Klop, pasi vrapon, shënon gola, dhe nuk pëlqen të mbahet për ndonjë yll të madh. Gjermani e bazon lojën e tij tek skuadra, tek presioni asfiksues ndaj kundërshtarëve, diçka që shumë nga “yjet e elitës” nuk kanë dëshirë ta bëjnë.
Kjo do të thotë se Klopi mund të mos jetë i fiksuar as pas Kai Havercit, talentit elegant të Leverkusenit, i cili padyshim që është një futbollist i shkëlqyer. Lajmet nga Anglia bëjnë me dijë se trajneri liverpulas po mendon për dyshen e Uolvesit, Ruben Neves dhe Adama Traore, për të cilët mund të shpenzojë 110 milionë paundë stërlina, siç shkruajnë tabloidët. Traore po shkëlqen në sulm këtë sezon, dhe Klopi ka deklaruar se “shpesh ai është i pamundur për të mbuluar, është i jashtëzakonshëm”. Neves është një mesfushor shumë i mirë, që shënon gola nga largësia, por sidomos e kontrollon mirë zonën, duke iu përshtatur shumë filozofisë së Klopit.
Sfidanti.al