Verner snoboi Bajernin për Anglinë, zgjodhi Çelsin për minutazhin!

“Më mirë një vezë sot sesa një pulë mot”, thotë populli, dhe sulmuesi i Gjermanisë e ndoqi plotësisht këtë parim. Lajmi, si rrufe në qiell të pastër, për kalimin e tij tek Çelsi, ishte një zgjedhje e llogaritur mirë prej Timo Vernerit, por edhe prej Lajpcigut. Futbollisti e kishte lënë të kuptohej qartë se ai dëshironte të luante jashtë Gjermanisë, pra duke përjashtuar Bajernin si mundësi për të vazhduar karrierën.

Gjithsesi, edhe jashtë Bundesligës ai pati alternativa të rëndësishme si Liverpulin apo Interin e Milanos, por zgjodhi një skuadër me më pak emër sesa këto, Çelsin. Përse Verneri vendosi kështu? Me gjasë, sepse blutë e Londrës ishin të parët që treguan paratë, pra ishin gati të paguanin 60 milionë eurot e kartonit, diçka shumë e rëndësishme. Së dyti, Lampard duhet të ketë qenë më këmbëngulës se Klopi apo Konte, ndërsa vetë Verneri e dinte se tek Liverpuli konkurrenca mund të ishte e madhe, me Salahun, Firminon dhe Sanenë në përbërje. Pasi zgjodhi Anglinë ndaj Gjermanisë e Italisë, sulmuesi do të ketë sezonin orientues me Çelsin, e pastaj mund të shikojë për një sistemim tjetër.

Sfidanti.al