Dëmtimi i tij në ndeshjen e Championsit ndaj Atalantës u prit me ironi nga Jurgen Klopi, por trajneri i Liverpulit mund të jetë pak më i lehtësuar tani që doli deklarata zyrtare për Edersonin. Portieri titullar nuk do të jetë në supersfidën e “Anfildit” ndaj Mançester Siti, pasi nuk mund ta marrë dot veten në kohë. Pep Guardiola do të jetë i detyruar të vendosë mes shtyllave numrin 2, Klaudio Bravo. “Ederson përfundimisht nuk do të jetë dhe nuk mund të them sesa do të mungojë, – tha Guardiola, – por, ne kemi edhe një tjetër portier të klasit botëror, Klaudio Bravon. Ne fituam vjet Kupën e Ligës falë tij, ai është i jashtëzakonshëm dhe ka shkëlqyer edhe për Kilin”.
Nëse Siti “qan”, Liverpuli “qesh”. Qendërmbrojtësi Virgil Van Dajk do të jetë i pranishëm në fushë, rregullisht, ndonëse një ditë më parë mungoi në stërvitje. Jurgen Klop deklaroi se Van Dajku kishte qenë për drekë me pjesëtarë të familjes mbretërore holandeze, pra nuk kishte pasur dëmtim.
Sfidanti.al