Tuheli pranon indirekt kritikat për “thatësirën” e Lukakut dhe Havercit!

Sezonin e kaluar, shigjetat kryesore ishin për Timo Vernerin që u mor të paktën për 60 milionë euro, dhe nuk doli aspak ai sulmues për të cilin u investuan ato para. Këtë edicion, shënjestra ka ndryshuar dhe “gjahu” është edhe më i madh, një “gjah” prej 115 milionë eurosh që quhet Romelu Lukaku dhe që ka shënuar shumë pak gola për Çelsin. Edhe pse realizoi dy herë në Kupën e Botës për klubet, madje edhe në finalen e fituar 2-1 ndaj Palmeirasit të Brazilit, sërish gjigandi belg është nën kritika, ashtu si edhe gjermani Kai Haverc për të cilin u paguan gjithashtu shumë para, në total gati 100 milionë euro. “Ne kërkojmë shumë nga sulmuesit tanë, – tha trajneri Tuhel, – por, ka shumë arsye se përse gjendja është e tillë. Duhet të kemi pak më shumë durim. Mendoj se ata do të shënojnë më shumë gola”. Lukaku ka 10 gola në 27 ndeshje, ndërsa Haverci ka 15 gola në 73 ndeshje.

Sfidanti.al