Ishte minuta e gjashtë në stadiumin e “Shën Mërisë” (Sent Meri Stejdium) të Sauthemptonit. Rezultati ishte 0-0, por do të ndryshonte 10 sekonda më pas. Portieri i Liverpulit, Karius dërgoi topin me nxitim tek Okslejd-Çembërlen, ky dha një top si me një prerje “anatomike” drejt sulmit, që nxorri jashtë loje pjesën më të madhe të fazës mbrojtëse të vendasve. Sadio Mane, Mohamed Salah dhe Roberto Firmino u lëshuan përpara drejt portës së “Shenjtorëve”. Mane nuk u desh këtë herë, ndërsa Mo Salah pasoi për tek Firmino që e dërgoi topin në rrjetë.
Kështu nisi fitorja e radhës e Liverpulit në Premier Ligë, sukses 2-0, me golit tjetër pikërisht nga Salah në minutën e 42-të. Me 54 pikë, të kuqtë janë dy pikë larg Mançester Junajtidit të vendit të dytë, dhe dy pikë mbi Totenhemin e vendit të katërt. Çelsi është 4 pikë prapa, ndërsa Arsenali plot 9.
Jurgen Klop mund të mburret se po krijon një skuadër të madhe dhe pretendente, edhe pse nuk i ka mjetet financiare të Man. Sitit apo Man. Junajtidit. Dalë nga dalë, trajneri gjerman po shton lojtarët që i duhen, dhe përballja në Sauthempton ishte një tregues për këtë. Tre nga lojtarët që u hodhën në fushë, Van Dajk, Lalana e Lovren, kanë qenë më parë të Sauthemptonit. Për momentin, Liverpuli duhet të kënaqet me kualifikimin për në Champions, ndërsa sezonin tjetër, ku i dihet, mund të luftojë për titull.
Sfidanti.al