Tetë ndeshje, 8 fitore, Solskjer e Junajtid, sukses dhe në Kupë

Mbretëresha nuk ka qenë shumë në modë së fundmi, por për Mançester Junajtidin është një nga “fytyrat” më të kërkuara të sezonit. E kemi fjalën për Kupën e Anglisë, të quajtur tradicionalisht “Kupa e Mbretëreshës”, trofeu më i mundshëm i djemve të Ole Gunar Solskjerit për këtë vit sportiv. Larg vendeve të para në Premier, dhe jo favorit për të fituar Championsin, Solskjeri e ka shprehur qartë preferencën, dhe suksesi 3-1 në “Emirejts” të Londrës, ndaj Arsenalit, ishte treguesi më i qartë sesa shumë e duan këtë kupë, “djajtë e kuq”.

Aleksis Sançez zgjodhi që ta kalonte krizën pikërisht kundër ish-skuadrës së tij, duke shënuar golin e parë. Xhesi Lingard realizoi të dytin, por pjesa e parë u mbyll 1-2 pasi Aron Ramsej i dha mundësi Pjer-Emerik Obamejangut që të shënonte në zonë për Arsenalin. Pas pushimit, londinezët u hodhën në sulm për barazimin, por u ndëshkuan nga kundërsulmi. Goli i tretë për miqtë u realizua nga Antoni Marsial, dhe Solskjer ka tani 8 fitore në 8 ndeshje, që kur u ul në stolin e Junajtidit.

Formacioni i “Old Trafordit” duket tani si një ekip “galaktikësh”, krejt ndryshe nga koha e Murinjos, kur ishin një grup lojtarësh pa asnjë shpresë. Pol Pogba, David De Gea (i lënë pushim këtë herë), Markus Rashford, Antoni Marsial, Aleksis Sançez, Nemanja Matiç, Romelu Lukaku, Eshli Jang, Ander Herrera, Xhesi Lingard e shumë të tjerë janë emrat më të lakuar në Angli për momentin.

Sfidanti.al