Bjerrja po bëhen gjithnjë e më e dukshme. Edhe pse të rinjtë e talentuar nuk mungojnë, Mançester Junajtid nuk po i dalin llogaritë, pra nuk po merr dot rezultatet, ndaj tani duhet ta quajë veten një skuadër të mesit të tabelës. Barazimi 2-2 në “Old Traford” ndaj Aston Vilës nuk ndihmoi aspak, përkundrazi. Ekipi është në vendin e 9-të mes 20 skuadrave pjesëmarrëse në Premier Ligë, dhe luan në Ligën e Europës, pra ngjan si një klub i dorës së dytë. Dhe kush kështu?! Skuadra që ka fituar më shumë tituj kampion se kushdo tjetër në Angli, po ashtu ka fituar 3 Champions, trofe të tjerë pa fund dhe është një nga klubet me më shumë tifozë në të gjithë botën.
Ole Gunar Solskjer, ish-sulmuesi i shquar, nuk po e arrin dot këtë shkëlqim në stol. Trajneri norvegjez ka grumbulluar më pak pikë sesa Zhoze Murinjo vjet në këtë kohë. Të mërkurën në darkë, portugezi do të vijë si kundërshtar në “Old Traford”, tashmë në stolin e Totenhemit, dhe nuk besohet se tifozët do të kenë ndonjë inat me të. Faktet janë që edhe pa të, skuadra nuk po përmirësohet, ndërsa Junajtid është klubi i vetëm që nuk ka fituar titull me Murinjon, ndryshe nga Porto, Çelsi (në dy periudha), Interi dhe Reali. Junajtidi i Solskjerit ka 18 pikë, 8 më pak se Çelsi që mban vendin e katërt, vend që të kualifikon për në Champions.
Sfidanti.al