Nuk i hyri “me dru” si Roi Kini, por gjithsesi një kritikë e bëri edhe ai. Peter Shmajkel, legjenda e portës së Mançester Junajtidit, mendon se “gardiani” i tanishëm, David De Gea, po bën më shumë gabime sesa duhet, dhe se duhet të rregullojë çështjen e përqëndrimit. Danezi gjigand, që ka status legjendar tek tifozët e “djajve të kuq”, mendon se De Gea është ndikuar që në vitin 2015, kur dështoi kalimi i tij tek Reali i Madridit.
“Mendoj se ai u zhgënjye shumë atëherë që nuk shkoi tek Reali, – u shpreh Shmajkeli, – iu duk sikur e kishin burgosur tek Junajtidi. Gjithsesi, ka edhe arsye të tjera që ai po bën gabime, pasi skuadra ndryshoi shumë, mbrojtja u bë e pasigurt, e ndoshta ai ka humbur disi besimin tek vetja pas kritikave të shumta. Ka shumë shkaqe dhe mendoj se ai ka probleme me përqëndrimin, por me përvojën që ka i ka mundësitë që ta mbledhë veten”. De Gea ka bërë 7 gabime që në nisje të sezonit të kaluar, më shumë se çdo portier në Angli.
Sfidanti.al