Në ndeshjen e fundit të Premier Ligës, Liverpuli nuk arriti më shumë se 1-1 me Barnlin modest dhe, kështu, midis atyre që e kritikuan trajnerin e “të kuqve”, ishte edhe legjenda e futbollit anglez, Allan Shirer. Sa për kujtesë, Jyrgen Klopi erdhi te Liverpuli, pasi u shkarkua Brendan Roxhersi, por Shireri nuk sheh ndonjë progres të madh të ekipit, qëkur ka ardhur trajneri gjerman.
Qëkur në stolin e drejtimit të “të kuqve” ka ardhur Klopi, Liverpuli ka pësuar 73 gola në 91 ndeshje, ndërkohë që në kohën e Roxhersit ekipi, në një numër të tillë ndeshjesh, kishte pësuar katër gola më pak.
“Liverpuli nuk është aspak më i mirë nën drejtimin e Klopit sesa ka qenë nën drejtimin e Brendan Roxhersit. Ajo që pashë të shtunën e kaluar, ishte qesharake, kështu që unë bëj pyetjen, nëse ky ekip bën stërvitje, duke qenë se ai përsërit vazhdimisht të njëjtët gabime në mbrojtje”, tha Shireri.