Shënon Verner dhe Çelsi “i mërzitshëm” i Tuhelit i afrohet Championsit!

Rruga është ende tepër e gjatë, por potenciali ia bën të mundur që t’ia arrijë qëllimit. Çelsi ia doli të fitonte ndaj Njukasëllit dhe të hynte në katërshen e parë të renditjes së Premier Ligës, ndërsa ka dy lajme për Blutë. Së pari, që trajneri Tomas Tuhel vazhdon të mos mundet, madje vazhdon të fitojë edhe pse quhet shpesh “i mërzitshëm” me lojën që praktikon, dhe së dyti që Timo Verner shënoi më në fund pas 15 ndeshjesh. Një lajm vërtet i madh pasi bëhet fjalë për sulmuesin kryesor të Gjermanisë, që u mor për 60 milionë euro verën e kaluar nga Lajpcigu.

Parashikimet janë që Çelsi do t’ia dalë që të kualifikohet për në Champions, ashtu si edhe Liverpuli, ndërsa mëtuesit më modestë si Leisteri apo Uest Hemi do të dështojnë. Tuheli ka besim dhe besimin e mbështet edhe tek Verneri. “Ju e dini se një sulmues ka nevojë të shënojë, – thotë ai, – nëse e bën, ky është ndryshim i madh”. Vetë Verneri u shpreh pas ndeshjes se “muajin e kaluar nuk isha aspak i lumtur që nuk po shënoja, por kryesorja është që të fitojmë, sepse është sport kolektiv”. “Po ashtu, do të kishte qenë më keq sikur të mos kisha pasur raste, – shtoi gjermani, – unë kam pasur raste, por kam gabuar, veçse kjo tregon se skuadra po luan mirë”.

Sfidanti.al