Shaqiri është heroi në Angli, ku Totenhemi mbetet për titull!

Xherdan Shaqiri dhe Totenhemi. Njëri futbollist, tjetri ekip futbolli. Këta janë heronjtë që veçohen këtë të shtunë në Premier Ligën angleze. Futbollisti me origjinë shqiptare nga Kosova, ndodh që “zhduket” për disa kohë, por kur rishfaqet,  vjen me “perla”. i tillë ishte goli i shënuar në portën e Hullit në minutën e 80-të, dhe nga një largësi prej 34 metrash. Rrjeta e ngriti rezultatin në 3-1 duke e bërë fitoren thuajse të sigurt.

Ky ishte goli i katërt në sezon në Premier Ligë për sulmuesin e Zvicrës, që ka vuajtur nga dëmtimet në këtë edicion dhe ka luajtur vetëm 15 ndeshje në kampionatin anglez. Me këtë fitore, Stouk Siti është në vendin e 11-të jo larg vendit të 9-të që pati vjet dhe nuk rrezikon pozicionin e tij në elitën e futbollit anglez.

Gjithsesi, kjo javë pati protagonist edhe ekipin e Totenhemit. Londinezët fituan 4-0 ndaj Bornmuthit, me golat nga Dembele, Son, Kejn dhe Jansen, duke u afruar në 4 pikë diferencë me Çelsin kryesues. Skuadra e trajnerit Poçetino ka 71 pikë nga 75 të bluve që luajnë nesër në fushën e Mançester Junajtidit, ndërsa ka shënuar 68 gola, baraz me Liverpulin si ekipet që realizojnë më shumë në Premier Ligë.

Sfidanti.al