Oh jo Hamilton! Shoku i skuadrës, Botas, i merr “pole”-n në Bahrein!

Ljuis Hamilton me siguri kishte menduar se largimi i Niko Rosbergut ia kishte hequr rrezikun e një “lufte civile” tek Mercedesi, por anglezi duket se qenka gabuar. Konkurrenca këtë sezon nuk do t’i vijë vetëm nga Ferrari i Sebastian Fetelit, por edhe nga shoku i tij i skuadrës, Valteri Botas. Finlandezi duket se është përshtatur shpejt dhe shkëlqyeshëm me makinën e re, dhe këtë e tregoi me fitoren në provat zyrtare (pole position) në Çmimin e Madh të Bahreinit.

Botas dha kohën 1’28”769 në pistë, duke lënë Hamiltonin vetëm 23 të mijtat prapa. Kjo ishte fitorja e parë e Botasit në provat zyrtare në Formula 1, në karrierën e tij. Fetel mbeti në vendin e tretë me diçka më pak se gjysmë sekondi vonesë, ndonëse Ferrari besohet se do të jetë i fortë gjatë garës me shumë xhiro.

Hamilton nuk arriti të fitonte “pole positionin” e shtatë radhazi në këtë pistë shumë të dashur për të, ndërsa Ferrari u detyrua të kënaqej me vendin e pestë të Kimi Raikonenit, lënë prapa nga Riçardo i Red Bullit. Verstapen, po i Red Bullit, doli në vendin e gjashtë.

Sfidanti.al