Një mesazh në Uatsap (WhatsApp) tregon për një tjetër episod të “sagës” së Mançester Junajtidit këtë sezon. Aleksis Sançez i shkruan shokut të skuadrës, Markos Roho, se “ti më detyrohesh 20 000 paund stërlina, sepse unë e fitova bastin”. Interpretimi është lojë fëmijësh, dhe pse mesazhi është “i koduar”, pra që Sançez kishte vënë bast me Rohon se Zhoze Murinjo nuk e kishte të gjatë si trajner i “djajve të kuq”.
Historia tjetër është më e njohur, ajo që Pol Pogba pati një postim kuptimplotë në Instagram, të cilin e fshiu shumë shpejt, dhe ku shprehte triumfin e tij për shkarkimin e ish-trajnerit. Jo vetëm kaq, por mediat angleze shkruajnë se Pogba u shpreh në sy të të gjithëve se “ai u ngatërrua me njeriun e gabuar” (përdori një fjalë të pistë), por pastaj u sulmua verbalisht ashpër nga ndihmësi i Murinjos, Majkëll Karrik.
Çfarë po ndodh tek Mançester Junajtidi? Nëse Murinjo ishte një problem, ky tashmë nuk ekziston më, dhe yjet e skuadrës duhet ta kuptojnë se tashmë është radha e tyre të ndryshojnë fatin e edicionit. Tifozët tashmë presin kthesën prej tyre, veçse me reagimet për largimin e trajnerit, ata duket se nuk janë ai “brumë” që mund të sjellin triumfin. Gjithsesi, pyetja tjetër është, mos vallë ka pak faj Murinjo që i mori?
Sfidanti.al