Uein Runi është golashënuesi më i mirë i Mançester Junajtidit dhe i përfaqësueses angleze, por arritja e tij më e madhe është fakti se ai arriti që të imponohej si lider i një prej brezave më të suksesshëm të klubit të “djajve të kuq”. Ai thotë se te Junajtidi ishin pesë veta, pra lojtarë, që mbanin atmosferën dhe disiplinën në nivelin e duhur në dhomën e zhveshjes së “djajve të kuq”. Detyra e tyre ishte vendosja e një ekuilibri mes futbollistëve me karaktere të ndryshëm në dhomën e zhveshjes dhe në fushë, si edhe forcimi i identitetit të klubit.
“Ser Aleks Fergusoni nuk kishte se përse të shqetësohej për atmosferën në dhomën e zhveshjes, duke qenë se ne e kishim atë nën kontroll. Rajan Gigsi, Geri Nevil, Pol Skols, Rio Ferdinand dhe unë kishim një stazh të gjatë te Junajtidi dhe detyra jonë kryesore ishte ruajtja e rregullit sa më mirë në ekipin tonë”, vuri në dukje Runi.
Këtë koment Runi e bëri në një kohë, kur media angleze po shkruan shumë se marrëdhëniet në dhomën e zhveshjes së Junajtidit janë shumë të këqia. Pol Pogba ka kohë që nuk ka marrëdhënie të mira me trajnerin Zhoze Murino, ndërsa Aleksis Sançez ka kërkuar që të largohet nga klubi.
Sfidanti.al