Reali i Madridit – gati “të vjedhë” një talent të ri të Sitit

Brahim Diaz është një talent shumë i madh në akademinë e futbollit të Mançester Sitit, por, sikurse duket, e ardhmja e tij do të jetë në ndonjë klub tjetër. Ky futbollist i ri spanjoll ishte nga më të mirët në fushë në ndeshjen e Kupës së Ligës kundër Fullhemit, kundër të cilit ai shënoi dy gola. Kontrata e tij me klubin kampion të Anglisë përfundon në qershor 2019, ndërkohë që media spanjolle spekulon se destinacioni i tij i radhës është Reali i Madridit.
Sipas medias së mësipërme, klubi “mbretërot” tanimë i ka realizuar kontaktet e parë me agjentin e Diazit dhe familjen e tij. Futbollisti 19-vjeçar, deri tani, ka refuzuar që të nënshkruajë kontratë të re me Sitin, sepse atij nuk i jepet shumë shansi që të luajë me ekipin e parë. Ai është sulmues anësor dhe në atë pozicion Guardiola ka futbollistë të tillë, si Liroj Sane, Rahim Sterling, Bernardo Silva dhe Riad Marez. Me një konkurrencë të tillë vështirë se mund të depërtosh në formacionin e parë, por, sidoqoftë, edhe te Reali i Madridit do të jetë e vështirë, pasi edhe atje ka një konkurrencë të fortë.
Ka edhe klube të tjerë që interesohen për Diazin, por ofertat nga Reali i Madridit nuk vijnë çdo ditë.
Sfidanti.al