Strategu italian, Klaudio Ranieri, që u shkarkua, para disa muajsh, nga drejtimi i ekipit anglez të Lester Sitit, të cilin ai, sezonin e kaluar, e nxori kampion të Premier Ligës, u prononcua, ditët e fundit, edhe një herë tjetër për shkarkimin e tij nga krerët e Lesterit. “Pasi fitimit të titullit të kampionit të Anglisë, për herë të parë në histori, njeriu pret që disa momente të vështira të tij ‘të shihen përmes gishtave’, pra, të mos vihen re shumë. Të jem i sinqertë, unë e prisja që disa probleme edhe mund të ktheheshin në ekipin tonë, duke pasur parasysh se, në kohën e festimit të titullit kampion, vlera e disa kontratave ishte rritur katër ose, madje, edhe pesë herë”, tha Ranieri në “Skaj Sport”.
Pyetjes se çfarë i thanë atij njerëzit e kryesisë së klubit, kur i bënë të ditur shkarkimin, Ranieri iu përgjigj, duke thënë: “Më thanë disa fjalë që, zakonisht, thuhen në këto raste, se ata, tani, kanë nevojë për një trajner të ri që punët të lëvizin më shpejt e më mirë, se atyre iu vinte keq, por se kështu e ka futbolli dhe të tjera si këto. Unë jam 100 për qind i sigurt se nuk janë lojtarët ata që më tradhtuan, pasi me ta unë nuk kisha probleme. Kreg Shekspiri (ish-ndihmësi i Ranierit dhe trajneri aktual)? Jo, ai është treguar gjithnjë i ndershëm me mua dhe ishte një ndihmës i mirë. Janë presidenti dhe drejtori sportiv ata që vendosin për fatin e klubit”, vuri në dukje Ranieri.
sfidanti.al