I mbetet edhe një hap deri në realizimin e ëndrrës, por personalisht Botërorin e fitoi. Pol Pogba po kthehet nga Rusia jo si Napoleoni, por sikur të ishte Kutuzovi, me mesfushorin e Francës, një nga më të mirët në të gjithë turneun. Gjithsesi, ylli i Junajtidit nuk i harroi kritikat e ashpra që kishte marrë gjatë gjithë sezonit të shkuar, dhe gjeti kohës, pas punës dhe pas festimit, që t’u kthente përgjigje.
“Unë jetoj vetëm për futbollin, – ishte një deklaratë e 25-vjeçarit, – kjo është dashuria ime e parë, dhe unë do të luftoj deri në fund për të”. Franca dhe ai janë në finale, lavdërimet e trajnerit të tij në Angli, Zhoze Murinjo nuk kanë munguar, veçse besohet se Pogba duhej t’ia thoshte vetes këto fjalë më së pari. Kjo, pasi ky Pogba në Rusi është krejt ndryshe nga ai që u dorëzua përpara Mançester Sitit në Premier Ligë.
Sfidanti.al