Përse nuk shpenzon Liverpuli? Klopi përmend një trajner portugez!

Quhet Vitor Matosh ka ardhur disa kohë më parë nga Porto, dhe punon në Akademinë e klubit. Ky trajner “zhvillimor” portugez u tregua me gisht nga Jurgen Klopi, kur u pyet nëse Liverpuli do të bënte shpenzime të mëdha për të forcuar skuadrën. “Nëse Vitor Matosh nuk do të ishte këtu, ne nuk do të kishim kaq shumë të rinj që janë gati për të luajtur në ekipin e parë”.

Klopi ka një listë me emra të cilët mund të jenë dubluesit e yjeve të skuadrës së parë. Këta janë mesfushori Kërtis Xhons, mbrojtësit Hëver e Van den Berg, mbrojtësi i djathtë Neko Uilliams, si edhe të tjerë si Eliot, Larusi, Klarkson, Kein apo të tjerë. Përveç tyre, Klopi ka edhe disa lojtarë që mund ta rrisin rendimentin e tyre si Keita, Minamino e Origi. Të vetmit lojtarë të rëndësishëm me të cilët është i lidhur Liverpuli janë Kulibali i Napolit dhe Tiago Alkantara i Bajernit. Historitë e tjera me Mbapenë, Vernerin apo edhe Havercin, duken fantazi. Shpenzimet e mëdha kanë qenë të pakta me Klopin, vetëm Alison në portë dhe Van Dajk në qendër të mbrojtjes, ndërsa pjesa tjetër është “ç’të mbjellësh, do të korrësh”.

Sfidanti.al