Nuk hipi as në autobusin e ekipit, ndoshta Sarri po largohet pa kthim!

Shumë trajnerë në të kaluarën kanë qenë të tmerrshëm për lojtarët e tyre, me kritikat e ashpra. Në Angli, ashtu si kudo, nuk numërohen, por duket se Mauricio Sarri po i afrohet standardeve tepër të larta të vetë Sër Aleks Fergusonit. Trajneri i Mançester Junajtidit ishte i famshëm për “herdrajërin” (Hair Dryer, përkthim fjalë për fjalë “tharje flokësh”), pra për ulërimat pas ndeshje aspak të mira të lojrarëve të tij. Dhoma e zhveshjes kthehej në sallë gjyqi, dhe kështu po bën edhe Sarri tek Çelsi.

Pas humbjes 0-4 në fushën e Bornmuthit, italiani harroi orën jashtë derës, dhe e mbajti skuadrën nën breshërinë e tij për plot 50 minuta. Një javë më parë e kishte kritikuar publikisht, dhe ajo ishte përgjigjur me fitoren 2-0 ndaj Arsenalit, po për Premier Ligën, por tani erdhi katastrofa. “Deili Meili” njofton se Sarri ishte kaq i nervozuar pas takimit, saqë refuzoi të ngjitej në autobusin e skuadrës, duke u kthyer në shtëpi me mjet tjetër, ndoshta me taksi. Mos vallë, kjo është një tjetër shenjë se ish-trajneri i Napolit po mendon ta mbyllë aventurën e tij të stuhishme londineze?

Sfidanti.al