Mançester Junajtidi luajti, parmbrëmë, ndeshjen e parë që e fitoi 2-0 në “Old Trafford” ndaj Derbit, në kuadrin e FA Kupës së Anglisë. Ky konkurrim që është më i vjetri në historinë e futbollit në Angli, ka sherbyer, gjithnjë, si një motivim, madje, edhe për klubet e mëdhenj, por, në vend që të trajtonte tema lidhur me ndeshjen e lartpërmendur, trajneri i “djajve të kuq”, Zhoze Murinjo, në konferencën e ti j të shtypit, u mor me çështje krejtësisht të tjera, me spekulimet se ai do të largohet në fund të sezonit nga Junajtidi, ndërsa nuk harroi që “të përshëndeste” edhe kolegët e tij të Celsit dhe të Liverpulit, Antonio Konte dhe Jyrgen Klop.
Pyetjes së një gazetari se përse ai nuk i festonte më golat e lojtarëve të ekipit të vet si më parë, Murinjo u përgjigj, duke thënë: “Si mendoni, ju, se unë kam ndonjë uri të madhe për tituj? Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se unë e kam humbur pasionin për futbollin dhe nuk kam ndërmend që të sillem si kloun te vija anësore. Tani, këtë rol e kanë marrë përsipër disa të tjerë!”, vuri në dukje Murinjo, duke aluduar hapur për Konten dhe Klopin, të cilëve, edhe më parë, ai u ka tërhequr vërejtjen për reagimet e tyre të tepëruar në vijën anësore, kur futbollistët e tyre shënojnë gola.
Sfidanti.al