Antonio Konte për momentin mund të jetë tepër i lumtur. Çelsi i drejtuar nga ai arriti fitoren e gjashtë radhazi në kampionat dhe u ngjit në krye të Premier Ligës angleze. Një gol i Diego Kostës mjaftoi për t’i dhënë suksesin në fushën e Midëllsbrout, dhe për ta ngjitur në kuotën e 28 pikëve, një më shumë sesa Mançester Siti e Liverpuli. Sulmuesi spanjoll mundi të thyente një portier të madh si Viktor Valdes, që duket se është kthyer si në ditët e tij më të mira tek Barcelona.
Trajneri i bluve po vazhdon atë punë që bëri tek Italia duke kthyer në pretendente për titullin europian një skuadër pa klas, ndërsa me londinezët padyshim që e ka më të lehtë. Në dispozicion ka yje si portieri Kurtua (dy muaj pa pësuar gol), Kejhill, Luiz, Ivanoviç, Hazar, Pedro apo Kosta.
Për herë të parë që nga koha e Karlo Ançelotit, Çelsi fiton gjashtë ndeshje radhazi pa pësuar gol, ndërsa në stadumin e Boros epërsia ishte e dukshme, me 6 gjuajtje në kuadrat (15 gjithsej) ndaj vetëm 1 të vendasve që e shqetësuan shumë pak Kurtuanë. i vetmi moment kur ata gjetën portën ishte një gjuajtje e Negredos që u prit nga portieri belg.