Aston Vila ka qenë një emër i lavdishëm i futbollit anglez, madje edhe i atij europian. Skuadra që doli disa herë kampione në ishull, dhe fitoi Kupën e Kampionëve (Championsin) në 1982, nuk dëshiron ta humbë sërish statusin e Premier Ligës. Për këtë arsye, këtë verë, menjëherë pasi u ngjit në elitë, klubi nga Birmingemi i habiti të gjithë duke bërë blerje të mëdha. Aston Vila shpenzoi 145 milionë paundë stërlina, mbi 160 milionë euro, duke qenë klubi i dytë me harxhimet më të mëdha ndër 20 të Premier Ligës. Vetëm Mançester Junajtid i lejoi vetes më shumë.
Vila mori 12 lojtarë të rinj, duke thyer edhe rekordin e tij të transferimeve me blerjen prej 22 milionë paundë stërlinash të sulmuesit Uesli nga Klub Bryzhi. “Ne nuk e bëmë këtë për të rënë në sy, – tha shefi ekzekutiv, Kristian Përslou, – ne donim të forconim klubin, madje edhe nëse nuk do të ishim ngjitur në Premier. Ne shpenzuam shumë, por këto janë para që merren nga një vit e drejtë televizive”.
Sfidanti.al