Nga fanela te stadiumi, Liverpuli nuk dëshiron të ketë limite

Topi rrotullohet që të shkojë në portë e të lumturojë tifozët, por gjithashtu rrotullohet edhe mendja e drejtuesve për të gjetur financa për artistët e lojës. Liverpuli, për momentin, duket se e ka gjithçka në rregull sa i përket spektaklit të fushës, ndërsa po mendon për t’u bërë më i madh edhe jashtë saj. Klubi anglez do të mbajë “dy kunguj në një sqetull”, do të realizojë një kontratë të re sponsorizimi për fanelën, dhe do të zmadhojë kapacitetin e stadiumit “Anfild”.

Kontrata e re për fanelën pritet të jetë rekord anglez dhe britanik, që do të kalojë marrëveshjen aktuale të Mançester Junajtidit me Adidasin që arrin në 75 milionë paundë stërlina në vit, rreth 85 milionë euro. Kontrata duket se do të jetë me gjigandin amerikan, Najk, ndërsa për momentin Liverpuli është në vitin e fundit të akordit me kompaninë Nju Balans (New Balance) që vlen 45 milionë paundë stërlina në vit. Të kuqtë kanë biseduar edhe me Adidasin e Pumën, por duket se Najku është në avantazh. Rekordin e fanelave në botë e mban Barcelona me kontratën 110 milionë euro.

Përsa i përket stadiumit, klubi ka në plan të rrisë kapacitetin nga rreth 55 000 deri në 60 000 vende të ulura, diçka që do të shtojë të ardhurat nga biletat.

Sfidanti.al