Nuk e ka fjalën për ata yje që shkëlqejnë shumë, por një të tillë që bën punë “të rëndë”. Didi Haman, kampion i Europës me Liverpulin në 2001 dhe ish-lojtar i Bajernit, analizon bavarezët duke i vënë “dhjetë me yll” klubit për marrjen e Filip Kutinjos. “Përgëzime Bajern për transferimin sensacional, – shkruan eksperti i “Skajit” për revistën “Kiker”, – Kutinjo është një fitore edhe për Bundesligën. Ai nuk mund të krahasohet me Usman Dembelenë, pasi është djalë i respektuar, i rregullt dhe shok i mirë skuadre”.
Gjithsesi, Haman sheh një dobësi tek skuadra e tanishme e Niko Kovaçit. “Nëse loja ofensive është përmirësuar ndjeshëm me Kutinjon, në lojën mbrojtëse Bajerni ka ende dobësi. Skuadra ka problem në zonën para mbrojtjes, pasi Tiago nuk është një “6” tipike, ndërsa Havi Martinez nuk mjafton. Nëse do të plotësohet edhe ky pozicion, atëherë Bajerni do të jetë pretendent për në Champions”. Didi Haman ofron si alternativë rregullimin e pozicioneve të Korenten Tolisosë apo Xhoshua Kimihut.
Sfidanti.al