Nepotizëm në “Old Trafford”: Murinjo angazhon të birin si ndihmës!

Në ndeshjen ndaj Suonsit, “Speciali” kishte një ndihmës ekstra, pasi, krahas asistentit të tij, Majkëll Karik, pjesëtar i stafit të tij ishte edhe i biri, Zhoze Mario Murinjo ose Zuka, sikurse njihet më shumë. Ky i ri 18-vjeçar kishte edhe të gjithë aksesorët përkatës që u jepen pjesëtarëvë të stafit ndihmës të trajnerit kryesor dhe, midis të tjerave, në veshjen e tij sportive “Adidas” dalloheshin inicialët “ZM” (Zhoze Murinjo).

Tani vetëm mbetet që të shihet se deri në çfarë shkalle do të jetë përfshirja e Murinjos së ri, për të cilin i ati i tij, Murinjo i madh, para ca vitesh, ka thënë se ai zotëron një kapacitet të madh.

“Një ditë, ai erdhi në zyrën time dhe më tregoi disa statistika të klubit tonë, mbas disa rezultateve të dobta të ekipit që unë drejtoja. Unë i pashë ato dhe më pëlqyen, prandaj ua tregova ato edhe ndihmësve të mi, të cilëve u thashë që të kishin kujdes se një ditë ky i ri do t’ua zinte vendin e punës”, vuri në dukje Murinjo i madh.

Sfidanti.al