Nejmari i prishi punë vetes, por edhe Pogbas si dështoi transferimi i dyfishtë!

Ai mund të ishte larguar pikërisht ditën e fundit. Fati i Pol Pogbasë duket se u përcaktua në 2 shtator, datën e mbylljes së transferimeve në Europë, por diçka që ishte parashikuar nuk ndodhi, e gjithçka shkoi kot. Ylli i Mançester Junajtidit ishte në prag të kalimit të tij tek Paris SG, krejt ndryshe nga sa mendohej, ndërsa përshtypja ishte se pranë tij ishte Reali i Madridit.

Klubi francez kishte rënë dakord me mesfushorin e Francës për një rrogë prej rreth 500 000 eurosh në javë. PSG ishte gjithashtu dakord të pranonte kërkesat e Junajtidit për kartonin e Pogbasë, por ky transferim do të ndodhte vetëm nëse Nejmar do të shkonte tek Barcelona. Me paratë e marra nga braziliani, parizienët kishin ndërmend të financonin operacionin për Pogbanë.

Gjithsesi, pati edhe shkaqe të tjera që e detyruan 26-vjeçarin të mbetej në “Old Traford”. Kompania gjigande gjermane, Adidas, besohet se kërkoi që Pogba të mos largohej nga Mançester Junajtidi, për arsye komerciale. Trajneri Ole Gunar Solskjer, gjithashtu, vendosi një kusht, pasi për të largimi i francezit duhej të bëhej më herët, dhe jo ditën e fundit, kur ai të mos kishte mundësi ta zëvendësonte.

Sfidanti.al