Futbollisti Jaja Ture, para disa muajsh, nuk i kishte punët mirë me trajnerin e ri të Mançester Sitit, Pep Guardiola, dhe largimi i tij nga ky ekip dukej i afërt, por, tani, punët kanë ndryshuar. Një nga lojtarët më të mirë ManSitit në historinë më të re të këtij ekipi, tani, dëshiron që të qëndrojë në “Etihad” dhe të nënshkruajë një kontratë të re, qoftë edhe kundrejt një pagese më të vogël në krahasim me atë që ai merr aktualisht, në rast se klubi në fjalë ia ofron atë (kontratën e re).
Guardiola ka shumë mundësi që t’i ofrojë, tani, një minutazh më të madh loje Jaja Turesë, duke qenë se ekipi ka fituar në të gjitha pesë ndeshjet, në të cilat ky futbollist ka luajtur qysh në fillim, pra në formacionin e parë, ndërkohë që Ilkaj Gundogani do të mungojë deri në fund të sezonit, për shkak të dëmtimit. Ky futbollist afrikan është ideal për të njëjtin pozicion në ekip. Jaja Ture, momentalisht, fiton 230 000 sterlina në javë, por marrëveshja e tij skadon në fund të sezonit dhe, tani, klubi do të vendosë, nëse do t’i ofrojë atij një kontratë të re.
Sfidanti.al