Murinjo zbulon se cili portier do të luajë në finalen e Ligës së Evropës

Zhoze Murinjo, qysh tani, e ka vendosur se cili portier do të qëndrojë mes dy shtyllave të portës në stadiumin e Stokholmit në dueln final të Ligës së Evropës me Ajaksin e Amsterdamit. Sipas “specialit”, do të jetë korrekte që Serhio Romero të ketë shans të luajë para David De Geas. Kështu, duket se Murinjo do ta lëjë De Gean në stol në ndeshjen finale të Ligës së Evropës dhe do t’ia besojë portën portierit nr.2, Serhio Romero. Ky portier argjentinas e ka mbrojtur portën në 11 ndeshje të konkurrimit evropian më masiv, këtë sezon, kështu që “speciali” thotë se do të jetë korrekte që në formacionin e parë të jetë Romero.

“Nuk ka dilemë, nuk ka dilemë”, thotë Murinjo. “Të dy ata janë portierë fantastikë. Kurrë më parë, në karrierën time, nuk kam parë që dy portierë të jenë kaq miq, sepse bëhet fjalë për një pozicion, për të cilin, gjithnjë, ka rivalitet, sidomos, kur të dy ata zotërojnë një formë të ngjajshme dhe po flasim për dy pjesëtarë të përfaqësueseve të Argjentinës dhe të Spanjës. Mendoj se do të jetë korrekte që në finale të luajë Romero dhe De Gea e pranon këtë. Edhe Davidi ka luajtur në Ligën e Evropës, kështu që, nëse ne do të fitojmë, edhe ai do të marrë medalje”, vuri në dukje “speciali” portugez.

Sfidanti.al