Ky sezon do të jetë i fundit për Zllatan Ibrahiamoviçn me bluzën e Mançester Junajtidit. Këtë e konfirmoi, dje, edhe Zhoze Murinjo, duke bërë të ditur se këtij futbollisti suedez nuk do t’i ofrohet ndonjë kontratë e re nga ana e “djajve të kuq”. Ibra erdhi në “Old Trafford” para dy sezonesh si lojtar i lirë nga PSZH-ja, ndërkohë që, majin e vitit të kaluar, ai pësoi një dëmtim të rëndë në gju. Nëntorin e kaluar, u nënshkrua një kontratë e re me vlerë deri në fund të sezonit, por Zllatani, ndërkohë, as që po i afrohet formacionit të parë.
“Ky do të jetë sezoni i fundit i Zllatanit me klubin tonë. Ai është një futbollist i jashtëzakonshëm, një profesionist suprem dhe i ka mundësitë që të zgjedhë se çfarë do të bëjë në të ardhmen në karrierën e tij, nëse të vazhdojë të luajë ose t’i thotë lamtumirë futbollit”, deklaroi Murinjo. Media britanike bën të ditur se Ibra karrierën e tij do ta vazhdojë në SHBA, në ligën MLS, me bluzën e klubit LA Galaksi.
Sfidanti.al