Mos “u zgjove” shumë vonë, Arsen Venger?

Arsenali po vrapon me shpejtësinë e një “treni elektrik” drejt fundit të sezonit, por edhe fitoret radhazi mund të mos e ndihmojnë që të arrijë qëllimin e madh. Skuadra e trajnerit Arsen Venger ka 69 pikë pas fitores në fushën e Stouk Sitit, por gjithsesi, do të duhet të presë një gabim të Liverpulit që të mund të shkojë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Nëse djemtë e Jurgen Klopit fitojnë të dyja ndeshjet e tyre, londinezët do të jenë jashtë për herë të parë në 17 vjet, dhe ky do të ishte një dështim i madh për trajnerin francez.

Këtë ia kujtuan një pjesë e tifozëve që sërish protesuan për largimin e tij nga klubi, duke fluturuar një pankartë mbi stadium, edhe pse në përfundim të ndeshjes, publiku i ardhur nga Londra e brohoriti skuadrën dhe trajnerin e saj. Arsenali fitoi 4-1 me golat e shënuar nga Olivie Zhiru (2), Aleksis Sançez dhe Mesut Ozil. Venger duhet të zgjidhë edhe një enigmë tjetër, të bindë Sançezin që të mos largohet, ndërsa bisedimet për kontratën e re vazhdojnë të jenë të vështira.

Sfidanti.al