Matematikë e Murnjos: Më mirë 10 barazime se 5 fitore dhe 5 humbje!

Trajneri i Mançester Junajtidit, Zhoze Murinjo, thotë se ai preferon më shumë 10 barazime, pra një seri ndeshjesh pa humbje, sesa pikë më shumë, por me pesë humbje. Në fakt, “djajtë e kuq” kanë 20 ndeshje pa humbje, por një gjë e tillë nuk ka qenë me ndonjë leverdi të madhe për ekipin, pasi Mançesteri në 10 ndeshje ka shënuar rezultat të barabartë. Rezultate të tillë kanë bërë që ky ekip të mos ndodhet, aktualisht, midis katër ekipeve të parë të Premier Ligës që marrin pjesë në Ligën e Kampioneve. Por, megjithatë, matematika që aplikon Murinjo, është e çuditshme, duke thënë se më mirë 10 barazime sesa pesë fitore dhe pesë humbje.

“Kam mendimin se është e mirë ndjenja ose mendimi se ju nuk keni humbur në shumë ndeshje, për më tepër që ne kemi një seri fantastike ndeshjesh të pahumbura, pra, 20 të tilla, në Premier Ligë. 10 barazime janë 10 pikë, kurse pesë fitore dhe pesë humbje janë 15 pikë. Kuptohet se më mirë janë 15 pikë. Por, në rast se ju keni parasysh të ardhmen, unë preferoj 10 pikë, pra 10 ndeshje barazim. Seria e ndeshjeve pa humbje ju bënë juve më të fortë nga ana mendore, pasi kundërshtari do ta ketë më të vështirë që të fitojë, sfidat ju bëjnë më të fortë”, thotë Murinjo.

sfidanti.al