Futbollisti i Mançester Junajtdit, Entoni Marsial, i cili i “humbi” trajnerit të vet, Zhoze Murinjo, në prag të nisjes së ekipit për fazën përgatitore në SHBA, ku edhe ndodhen tani “djajtë e kuq”, është venë në listën e transferimeve, ndërsa është dënuar që të pagojë edhe një gjobë prej 180 000 sterlinash! Ai, në fakt, mori leje që të asistonte në lindjen e fëmijës së tij të dytë, por nuk u kthye në kohën e duhur tek ekipi. Shkelja e lejës nuk i pëlqeu aspak Murinjos që i kërkoi kryesisë së klubit marrjen e masave rigoroze kundrejt futbollistit të tij të “padisiplinuar”.
Marsiali, nga ana e tij, e ndjeu të nevojshme që të prononcohet në rrjetet sociale, ku ai shkroi dje: “I falënderoj të gjithë ata që më derguan mesazhe urimi për beben që tani është mirë, ndërkohë që edhe mamaja që mbas lindjes pati probleme, tani është mirë. Kërkoj falje për shqetësimet që kam shkaktuar në ekip dhe klub, por, sidoqoftë, familja ndodhet në vend të parë dhe pastaj vijnë të gjitha të tjerat. Nesër do të kthehem në Mançester”, vuri në dukje Marsiali.
Sfidanti.al