“Manita” ndaj Napolit, por a është ky Liverpul për titull?!

Miqësorja e parafundit deri në nisje të kampionatit foli qartë. Liverpuli u shfaq në fushë madhështor ndaj nënkampiones së Italisë, Napolit, duke e mundur 5-0, ndonëse duhet marrë parasysh rreth një javë diferencë në përgatitje. Gjithsesi, sinjali ishte I fortë dhe shumë pozitiv, ndërsa mediat e analistët po peshojnë “pluset dhe minuset” e formacionit të trajnerit Jurgen Klop, për të treguar nëse ai është apo jo për titull.

Parashikuesit e basteve vendosin në vend të parë Mançester Sitin kampion, dhe nuk ka sib ëhet ndryshe, por “të kuqtë” e Klopit janë menjëherë në vend të dytë, duke lënë pas Mançester Junajtidin e Murinjos, Çelsin e Sarrit dhe Totenhemin e Poçetinos.

Përforcimet e verës ishin madhështore, me portierin Alison, mesfushorin Fabinjo, mesfushorin Keita dhe lojtarin ofensiv, Xherdan Shaqiri. Klopi ka tashmë një portë të garantuar, ka dy qendërmbrojtës nga më të mirët në botë si Van Dajk e Lovren, ka mbrojtës krahu të rinj, por të afirmuar, të tillë që që luajnë me kombëtaren e Anglisë si Aleksandër-Arnold apo Xho Gomez, apo me Skocinë (si Robertson).

Mesfusha është e blinduar me Milnerin, Hendersonin, Keitën, Fabinjon, dhe aty mund të llogariten edhe Shaqiri, Markoviç, Okslejd-Çembërlen apo Lalana.

Sulmi ka treshen “qiellore” Salah-Firmino-Mane, dhe shpresa është që sulmuesit e tjerë të jenë në gjendje të zëvendësojnë titullarët. Klop mund të përdorë Shaqirin, por edhe Starrixhin, Origin apo Solanken. Padyshim që Liverpuli  mund të luftojë për titull, por shumëçka do të varet nga forma e rivalëve si Siti, Junajtid apo Çelsi, nga fati, por edhe nga mungesa e përvojës.

Sfidanti.al