Kush tha se Pep Guardiola nuk i pëlqen ndërhyrjet e ashpra? “Tackles”? E saktë do të ishte të thuhej se nuk i pëlqen kur të tjerët ia bëjnë skuadrës së tij. Mançester Siti u soll në po të njëjtën mënyrë ndaj Arsenalit sesi Leiçester Siti u soll kundër tij 8 ditë më parë. Pas një pjese të parë të dominuar me zotërim topi, por me rezultatin 0-1 për miqtë, Guardiola e la tej elegancën e tij dhe kërkoi atë që pëlqehet në ishull, luftën e ashpër deri në fund. Golit të Ualkotit iu përgjigjën Leroi Sane dhe Rahim Stërling dhe ndeshja u fitua 2-1. U desh të kalonin katër vjet që Siti të fitonte një takim që e humbiste në pjesën e parë.
Pavarësisht ndonjë dyshimi te golat, sërish “Qytetarët” e merituan, edhe pse u mungonin lojtarë të tillë si Kun Aguero, Gyndogan e Fernandinjo. Megjithatë, ata patën të tjerë si David Silva, Jaja Ture, Kolarov, Stërling, Sane, dhe mbi të gjithë, “njeriu i ndeshjes”, Kevin De Brujn. Mediat britanike arritën ta krahasonin me vetë Bobi Çarltonin për pasimin që i dha Stërlingut në golin e dytë. Guardiola do të vazhdojë ta ketë të vështirë pavarësisht nga fitorja, pasi Çelsi mbetet 7 pikë prapa Çelsit. Edhe më e vështirë gjendja e Arsen Vengerit. Tetë ditë më parë, Arsenali ishte kryesues i tabelës, tani është 8 pikë prapa rivalëve londinezë. Humbja në “Etihad” ishte thuajse identike me atë në “Gudison Park” ndaj Evertonit dhe tregon se përse “topçinjtë” mbeten pa trofe prej shumë vjetësh.