Bristol Siti nuk ia doli të shkonte në “Uembli”, por ia doli të fitonte respektin dhe admirimin e gjithë Anglisë. Vetë fakti që Pep Guardiola hodhi në fushë formacionin më të mirë në gjysmëfinalen e kthimit në Kupën e Ligës e tregon fare qartë. Mançester Siti fitoi përsëri, këtë herë 3-2 në stadiumin “Eshton Gejt” të Bristolit, pasi kishte triumfuar 2-1 në “Etihad” pak ditë më parë, veçse vendasit dhanë gjithçka kishin.
Edhe pse përballë yjeve Klaudio Bravo, Uolker, Stouns, Otamendi, Zinçenko, De Brujn, Fernandinjo, David Silva, Bernardo Silva, Aguero e Sane, Bristol Siti nuk u tregua inferior. Përballoi goditjen e dyfishtë pasi Sane dhe Aguero i dhanë epërsinë 2-0 miqve, dhe barazoi rezultatin me golat e Marlon Pakut dhe Adin Flintit (minuta e 92-të). Shpresa nuk është se kishte, por barazimi do të kishte qenë shumë i mirë, veçse nuk e lejoi Kevin De Brujn, autor i golit të tretë në 96’, si dhe autor asisti, i 14-ti për të, këtë sezon, më shumë se çdo lojtar i Premier Ligës.
Siti do të presë fituesin e gjysmëfinales së dytë Arsenal-Çelsi (ndeshja e parë 0-0) për të mësuar se ndaj kujt do ta luajë finalen e parë të sezonit, ndërsa Guardiola shpreson që fati t’i kthehet mbarë. Trajneri katalanas ka humbur 5 nga 6 finalet e fundit, pasi fitoi 9 nga 11 të parat.
Sfidanti.al