Lufta politike që ka shpërthyer kohët e fundit mes Anglisë dhe Rusisë, ka mundësi që të dëmtojë dy klube të mëdhenj anglezë, Çelsi dhe Arsenal, që, sikurse dihet, kanë pronarë rusë. Mbas incidentit në Sallsbëri (rreth 200 km larg Londrës), ku u helmuan me gaz nervor një ish-spiun rus dhe e bija e tij, marrëdhëniet mes Anglisë dhe Rusisë janë keqësuar mjaft, kështu që puna mund të shkojë deri në “ngrirjen” e aseteve të tajkunëve (pasanikëve) rusë që jetojnë në Angli.
Në këtë rast, problemet më të mëdha do të mund t’i ketë Çelsi, duke qenë se shumicën e paketës së aksioneve në këtë klub e ka Roman Abramoviçi, ndërkohë që Arsenali i ka shitur një pjesë të mirë të aksioneve të veta pasanikut tjetër, Alisher Usmanov, që ka pasaportë ruse.
Ka jo pak politikanë në Angli që kanë kërkuar “ngrirjen” e aseteve të shtetasve rusë në ishull, madje, ka edhe nga ata që kanë kërkuar bojkotimin e Botërorit të Rusisë.
Sfidanti.al