Kështu kanë ardhur punët me kalendarin dhe klubi anglez duket se nuk ka zgjidhje tjetër. Eleminatoret e Kupës së Botës në Amerikën e Jugut patën një tjetër raund ndeshjesh gjatë natës së të premtes në Europë, ndërsa Liverpuli do të luajë të shtunën në Premier Ligë ndaj Uatfordit. Kjo do të thotë se dy lojtarët e Brazilit, Alison dhe Fabinjo, do të detyroheshin të hynin në karantinë nëse do të ktheheshin direkt për në Britaninë e Madhe, dhe drejtuesit në “Anfild” po mendojnë zgjidhjen ndryshe. Më mirë të mos luajnë fare ndaj Uatfordit e t’i shpëtojnë karantinës, por të shkojnë direkt nga Brazili në Spanjë për të pritur skuadrën e trajnerit Klop për ndeshjen e mesjavës në Champions ndaj Atletikos në Madrid. Mungesa e portierit titullar Alison dhe e një mesfushori gjithashtu titullar si Fabinjo do të ishte minus i madh, por nuk ka mundësi të tjera në kohë pandemie.
Sfidanti.al