Vendimi i kryesisë së Lester Sitit për ta shkarkuar Klaudio Ranierin nga posti i trajnerit të Lester Sitit, Klaudio Ranieri, që vetëm nëntë muaj më parë u shpall, në mënyrë sensacionale, kundrejt shansit 1–5000, kampion i Anglisë, u prit me një zhgënjim shumë të madh nga ish-asi i “dhelprave” lesteriane dhe ish-sulmuesi i famshëm i përfaqësueses angleze, aktualisht, një nga komentatorët më në zë në futbollin anglez, Gari Lineker. “Është për të ardhur kaq keq”, vuri në dukje ai, gjatë emisionit “Match of the Day”, duke theksuar: “Këtë që ka ndodhur, mua nuk ma kap truri dhe jo vetëm mua, por edhe shumicës së tifozëve që e duan, sinqerisht, këtë sport.”
Linekeri supozon se kryesinë e Lester Sitit, për një moment, e kapi paniku dhe ajo mori një vendim që ish-futbollisti i Lesterit e konsideron shumë të gabuar. “Ta them në mënyrë figurative se unë qava, kur e mora vesh lajmin për shkarkimin e Klaudios, qava për ish-klubin tim dhe futbollin, në përgjithësi”, tha Linekeri. Sipas tij, kjo që i ndodhi Ranierit, është bërë një situatë karakteristike për futbollin bashkëkohor.
sfidanti.al