U desh të kalonte një kohë e gjatë që të ktheheshin në elitë, dhe tifozët shpresojnë që periudha përpara mesit të viteve 60-të të mos kthehet më. Lids Junajtidi, i drejtuar nga Marselo Bielsa, i vunë vulën ngjitjes për lart pa qenë aspak në fushë, por të ndihmuar nga humbja e Uest Bromit në fushën e Hadërsfildit. Kanë kaluar 16 vjet të vështirë, me dise ndryshime pronësie të klubit, dhe me 9 trajnerë të provuar, por tashmë gjithçka mori fund.
Lids Junajtid u kthye aty ku mendohet se i takon, si skuadër që ka dalë 3 herë kampione e Anglisë, ka fituar Kupën e Anglisë e Kupën e Ligës, dy Superkupa si dhe dy Kupa të Qyteteve Panaire në Europë, pararendëse e Kupës UEFA. Po ashtu, finaliste e Championsit në 1975, mundur pa të drejtë nga Bajerni i Bekenbauerit, Maierit e Gerd Mylerit, si dhe finaliste e Kupës së Kupave në 1973, mundur nga Milani.
Tifozët shpresojnë që Marselo Bielsa, argjentinasi me mendjen e tij krejt të veçantë, të jetë një Don Rivi i ri, pra t’i ngjajë trajnerit që udhëhoqi Lidsin në periudhën më të suksesshme, 1961-1974. Ekipi i veshur me të bardha ka pasur ditë të zeza, që nga themelimi i vonshëm në 1920, me ngjitje e rënie nga elita disa herë me radhë deri në 1964, ndërsa provoi sërish rënien në vitet 80-të, por edhe “ringjalljen” me titullin kampion në 1992. Ishte titulli i fundit i formatit të vjetër të kampionatit anglez, me emrin “Divizioni i Parë”, sepse u krijua Premier Liga por lavdia nuk vazhdoi, edhe pse Lidsi arriti gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve në 2001. Me Bielsën, ndoshta kohët e bukura mund të kthehen.
Sfidanti.al