Në minutën e 93-të, “djajtë e kuq” mund të kishin shmangur të paktën humbjen ndaj Aston Vilës, por kjo nuk ndodhi. Bruno Fernandes pati penalltinë për barazimin 1-1, por e gjuajti mbi portë, ndërsa Kristiano Ronaldo ishte në pritje si shokët e tjerë të skuadrës. Kush do t’i gjuajë penalltitë në të ardhmen tek Mançester Junajtidi? Do të vazhdojë ta bëjë Fernandesi që ka qenë ekzekutuesi i vetëm që kur mbërriti një vit e gjysmë më parë, apo ndoshta trajneri Solskjer do të zgjedhë Ronaldon? Kjo mbetet për t’u parë, ndërsa këtë herë gjithçka përfundoi keq.
Problemi i dytë i Junajtidit këtë herë ishte se “i ra murit me kokë”. Kjo do të thotë që gjuajti 28 herë drejt portës, por pa mundur të krijonte raste të pastra e të shënonte gol. “Ne kemi problem në 20-30 metrat e fundit, – tha Solskjeri, – krijojmë shumë, ishim shumë agresivë dhe sulmues, por gjuajtjet tona u bllokuan”. Tepër frenezi nga ekipi i norvegjezit, a thua se po luanin “me kokën poshtë”.
Sfidanti.al