Ku ishe fshehur Arsenal? Fitove, por 9 minuta nuk fshijnë dot sezonin!

Granit Xhaka u kritikua për golin e pësuar, sepse nuk mbuloi siç duhet Ogbonanë. Tifozët nisën të mërziteshin sërish pasi edhe ndeshja në fushën e Uest Hemit, për Premier Ligën, po shkonte “për dreq” si ato të kaluarat, veçse Arsenali e pati momentin e tij të gjenialitetit. Mjaftuan 9 minuta, nga e 60-ta deri në të 69-ën që rezultati të shkonte nga 0-1 në 3-1 dhe që “topçinjtë” ta shihnin veten tërësisht në luftë për Europën, me një sy paksa të largët edhe nga Championsi.

Gabriel Martineli, Nikolas Pepe dhe Pjer Emerik Obamejang ishin autorët e rrjetave, ku sidomos veçohet i shumëkritikuari Pepe që frymëzoi fitoren, siç theksojnë gazetat angleze. Arsenali ka tani 22 pikë, një më pak se Totenhemi i Murinjos dhe dy pas Mançester Junajtidit. Gjithsesi, drejtuesit duan të gjejnë një trajner dhe nuk besohet që detyrën ta mbajë Fredi Ljungberg. Kjo ishte fitorja e parë e Arsenalit në 10 ndeshje.

Sfidanti.al