Konte zëvendëson David Luizin me sozinë e tij dhe bën historinë!

David Luiz, për shkak të një dëmtimi në gju, nuk është në gjendje që të luajë në “garniturën” e parë të Celsit, por, sidoqoftë, trajneri i Celsit, Antonio Konte, i gjeti atij një zëvendësues ideal dhe këtë në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Futbollisti i ri Etan Ampadu, me pamjen dhe frizurën e tij të veçantë, me të vërtetë, të kujton stoperin brazilian, madje, ata kanë edhe karakterisitika të përbashkëta, pasi mund të luajnë si stoperë, ashtu edhe si mesfushorë të fundit dhe, ndërkohë që Konte vendosi që ta përfshijë atë në ndeshjen ndaj Hadersfildit që Celsi e fitoi, jashtë fushës së vet, 3-1, ai, me këtë rast, shkroi një histori te “blutë” e Londrës.

Tinejxheri Ampadu hyri në librin e historisë së Celsit, duke qenë se u bë futbollisti i parë që ka lindur në këtë shekull dhe që luan me klubin e “Stemford Brixhit”, ndërsa ai u bë edhe futbollisti i dytë më i ri që debuton në ekipin e parë në historinë e këtij klubi të Londrës. Ampadu në min. e 80-të hyri në lojë në vend të Kristensenit dhe, duke qenë 17 vjeç e 89 ditë, ai hyri në historinë e klubit dhe, para tij, ndodhet vetëm Xhodi Moris që ka debtuar me Celsin, kur ishte 17 vjeç e 43 ditë.

Sfidanti.al