Konte në sulm përpara finales së Kupës: Unë jam një hero

Fundsezoni do të thotë shumë personazhe që mbërrijnë një fund. Ndër ta, edhe pse jo 100 për qind i sigurt, edhe Antonio Konte. Trajneri i Çelsit është në prag të finales së Kupës së Anglisë, që do të luhet sot ndaj Mançester Junajtidit në “Uembli” dhe shpreson ta mbyllë sezonin me trofe. Të mbyllë, me shumë gjasa, edhe karrierën e tij si trajner i Çelsit.

Ka pasur shumë dritë-hije ky edicion i Bluve, me krizë që verën e kaluar, me largimin e Diego Kostës, me luftën e ftohtë mes Abramoviçit e trajnerit, me eleminimin në Champions nga Barcelona, mbetjen jashtë Championsit për vitin e ardhshëm për shkak të vendit të pestë në Premier Ligë.

Gjithsesi, Konte ndihet po ai i majit 2017 kur gjithë Anglia dhe gjithë Europa e ngriti në qiell si kampion i Premier Ligës. “Unë jam gjithnjë hero, – u shpreh italiani në konferencën para finales, – kjo sepse unë jap gjithnjë 120 për qind të mundësive të mia. Këtë sezon unë punova më mirë dhe më fort se vjet, pavarësisht se vjet ishim heronj, ndërsa këtë vit jo”.

Sfidanti.al