Duhej të kishte qenë fitore, por ja që nuk ndodhi, dhe kryesimi i kampionatit tani është bërë më i vështirë. Liverpuli po kalon një periudhë jo edhe aq të mirë, sidomos me fazën sulmuese, ndonëse problemet kryesore të kuqtë i kanë në mbrojtje. Barazimi në Njukasëll (0-0) erdhi jo edhe aq si rrjedhojë e lojës, por e gabimeve të sulmuesve liverpulas, Salah e Firmino, si dhe pritjeve të rëndësishme të portierit vendas, Darlou.
Gjithsesi, trajneri Jurgen Klop u shpreh i kënaqur me ekipin e tij. “Mendoj se reaguam mirë pas barazimit me Uest Bromin, – tha ai, – ekipi luajti shumë më mirë dhe ne krijuam raste, thjesht nuk shënuam. Gjithsesi, uroj që viti 2020 të largohet sa më shpejt”. Padyshim që gjermani ka të drejtë për problemet që solli ky vit, ndonëse ishte pikërisht në 2020 që Liverpuli fitoi titullin e parë në Angli pas 30 vjetësh. Në fushë u kthye edhe Tiago Alkantara për 20 minuta, dhe për 12 minuta ai ishte i shkëlqyer, por nuk qe e mundur që të fitohej. Liverpuli është 3 pikë mbi Mançester Junajtidin që ka luajtur një ndeshje më pak.
Sfidanti.al