Ka shënuar më shumë gola në 7 ndeshjet e fundit me fanelën e kuqe, sesa në 142 të mëparshmet, por futbolli i pranon këto çudira. Fabinjo, mesfushori me përvojë brazilian, po bëhet shpëtimtari i Liverpulit kur vjen puna për të marrë pikët, siç ndodhi edhe ditën e djeshme në fushën e Bërnlit. Falë rrjetës së tij u fitua ndeshja 1-0 dhe u shkurtua diferenca me Mançester Sitin, që kryeson Premier Ligën, në 9 pikë, me të kuqtë që kanë një ndeshje më shumë për të luajtur.
“Duhej të luanim futboll prej burrash, – tha trajneri Jurgen Klop më pas, – dhe kështu ndodhi. Kjo ndeshje ishte sikur të shkelje në një lëkurë bananeje”. Edhe pse Salah e Mane u kthyen në formacionin bazë, sërish Liverpuli e pati shumë të vështirë sepse Bërnli deshi me çdo kusht pikë. Duke qenë në vendin e fundit, sa më shumë kalojnë javët, aq më fort lufton ekipi i stadiuit “Tërf Mur” (Turf Moor). “Jam shumë i lumtur edhe me rezultatin 1-0, e tillë ishte ndeshja”, – vazhdoi Klopi. Kjo ishte fitorja e 6-të radhazi e ekipit të trajnerit gjerman, dhe shpresat mbeten për ta fituar titullin, edhe pse do të jetë shumë e vështirë.
Sfidanti.al