Përpara sesa të lejonte lojtarët të largoheshin për në Ligën e Kombeve, Jurgen Klop nuk përtoi ta quante këtë kompeticion si “më të kotin dhe të pavlefshmin në botë”. Natyrisht, trajneri gjerman kishte frikë nga dëmtimet, dhe parandjenja e tij u realizua plotësisht.
Pas ndeshjeve të Ligës së Kombeve, dy prej lojtarëve kryesorë të Liverpulit do të kthehen “çalë-çalë” në “Anfild”. Bëhet fjalë për Virgil Van Dajkun, që u dëmtua në ndeshjen e Holandës, dhe Mohamed Salahun, që pësoi lëndim me Egjiptin. Për fat, Holanda e lejoi Van Dajkun që të mos jetë në ekip për miqësoren ndaj Belgjikës këtë të martë.
Gjithsesi, Liverpuli ende nuk ka nxjerrë komunikatë për të lajmëruar nëse dy lojtarët do të jenë apo jo për ndeshjen e fundjavës në Premier Ligë, në fushën e Hadërsfildit.
Sfidanti.al